Tropojë, 18-vjecari i ve flaken vetes

 
Një 18-vjeçar nga Tropoja ka tentuar t‘i japë fund jetës, duke u djegur me benzinë. Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të para të së martës, kur i riu me inicialet E.G., nga fshati Sopot i Komunës Tropojë e Vjetër, ka lyer trupin me benzinë dhe i ka vënë flakën në dhomën e fjetjes.

I pari që e ka pikasur ngjarjen tragjike ka qenë babai i adoleshentit, i cili, siç i ka dëshmuar policisë lokale, ka hyrë në dhomën e të birit dhe i është hedhur përsipër, duke e mbështjellë me batanije, për t‘i shuar flakët. Nga të bërtiturat e tyre janë zgjuar edhe njerëz të tjerë të familjes. Këta të fundit kanë njoftuar menjëherë policinë për ngjarjen e ndodhur.

Shumë shpejt në fshat ka shkuar një grup i gatshëm i Komisariatit të Policisë së Bajram Currit, që ka ndihmuar për transportimin e të riut në spital. Mjekët kanë thënë se gjendja e 18-vjeçarit ka qenë shumë e rëndë për shkak të djegieve që ka marrë në trup. Pas ndihmës së parë që ka marrë në spitalin e qytetit, i riu është dërguar me helikopter për në Spitalin Ushtarak të Tiranës për mjekim më të specializuar dhe mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Burime të policisë së Qarkut të Kukësit bëjnë të ditur se ndaj të riut që tentoi të vetëvritej duke u djegur me benzinë është ngritur një padi penale dhe po hetohet si vepër e tillë. Për këtë qëllim, policia ka siguruar në cilësinë e provës materiale një shishe kauçuku me benzinë, një shkrepëse, disa mbetje të rrobave të trupit të viktimës, si dhe ka mbledhur dëshmi nga njerëzit e familjes dhe të tjerë mbi sjelljen e mëparshme dhe shkaqet e mundshme të një veprimi të tillë. Në bazë të neneve 99 dhe 22 të Kodit Penal të Shqipërisë, 18-vjeçari ka përmbushur kushtet për dënimin me gjobë deri në 5 vjet burg.

Një dëshmi e dhënë për policinë nga babai i viktimës thotë se “kohët e fundit E.G. ka vuajtur nga depresioni”, por asgjë më shumë rreth shkaqeve që mund ta çonin në depresion. I riu kishte mbaruar shkollën e mesme të përgjithshme në Tropojë dhe jetonte në familjen e vet. Ky nuk është rasti i parë i vetëvrasjes së mbetur në tentativë në Tropojë, por është i pari rast kur viktima ka zgjedhur djegien si mjet për t‘u vetëflijuar.


 

Paragraph.

Title.

Paragraph.