Adela ben udhetimin e pare ne perendim fale Bjordit

 
Një jetë e re do të thotë angazhime të cilat as që mund t’i imagjinonin para se të futeshin në “Big Brother” por kur bëhesh i njohur dhe ke shumë fansa, çdo dalje në publik, jo vetëm për llogari tënden, por edhe të të tjerëve, është një moment i mirë për pak publicitet. Kështu ka bërë edhe Adela me Bjordin. Pak javë mbas mbarimit të programit “Big Brother” dhe pasi kanë shijuar ditët e sidomos netët vetëm në shtëpinë ku kanë vendosur të bashkëjetojnë, edhe ata si të gjithë shqiptarët u përfshinë në vorbullën e politikës paçka se më përpara nuk kishin patur kurrfarë lidhjeje me të.

Të gjithë e panë se forcat e ndryshme politike zgjodhën disa figura që pëlqehen nga publiku qofshin këto këngëtarë ose thjesht personazhe televizioni, si karreme për të mbushur sheshet. Pothuajse të gjithë u ingranuan pa e vrarë shumë mendjen se për kë po shkonte kontributi i tyre, pasi siç dihet këta personazhe janë paguar jo pak. Bjordi dhe Adela patën kështu mundësi të bëjnë një tur nëpër Shqipëri falë mitingjeve të partive politike si dhe të takojnë nga afër fansat e tyre kudo ku ata janë, madje siç dihet, dhe të shumtë në numër. Mbas mbarimit të fushatës edhe për Bjordin dhe Adelën ka patur një moment pushimi si për të gjithë ata që u angazhuan aty. Pak ditë më parë paparaci ynë i gjeti ata duke shëtitur në breg të detit në plazhin e Durrësit. Mesa duket nuk kishin qenë aty për të bërë plazh por për të kaluar disa orë mbasdite në freskun që të krijon deti.

Kjo duket qartë nga veshja e Adelës me taka dhe me xhinse, një veshje për shëtitje dhe jo për plazh. Natyrisht pranë çiftit ka qenë si gjithmonë edhe mamaja e Bjordit, Antoneta e cila në Durrës në fakt është në shtëpinë e saj. Ajo ishte e shoqëruar nga disa miq, por çifti ka bërë xhiro bregut të detit i qetë dhe duke shijuar plotësisht intimitetin e tyre. Mesa dimë ne çifti nuk ka patur akoma kohë që të marrë disa rreze dielli.

ADELA PËR HERË TË PARË NË ITALI

U desh të merrte pjesë në “Big Brother” dhe të njihej me një djalë si Bjordin, për të ndryshuar shumëçka në jetën e saj. Dhe ia arriti. Tashmë jeton në Tiranë, nuk punon më mësuese fshati dhe arriti të ndahej përfundimisht nga ish i fejuari. Por mbi të gjitha fitoi një dashuri, Bjordin e cila mund të quhet me plot gojën një terapi për jetën e saj. Tani Adela duket se ka para saj vetëm shanse të mira për jetën, në punë dhe atë personale.

Mbasi udhëtuan mjaft për arsye të mitingjeve por edhe thjesht për qejf, ata vendosën të bëjnë një udhëtim më të gjatë, kësaj here në Itali, ose më saktë në Lecco, aty ku i dashuri i saj ka kaluar gati 20 vite jetë. Nga rrëfimet e saj në shtëpinë e “Big Brother”, Adela ka treguar se i vetmi vend që ka mundur ta vizitojë ka qenë Turqia, kjo për arsye se ajo merrte atje furnizime për dyqanin e saj në Kavajë. Pra ky udhëtim është momenti i parë kur ajo do të shohë Italinë si dhe hera e parë që do të shkelë në perëndim.

Nuk e dimë me saktësi se sa kanë vendosur të qëndrojnë atje, me siguri diçka më shumë se një javë, përderisa Bjordit do i duhet të sistemojë mjaft punë të lëna përgjysëm në biznesin e tij, por edhe të takojë miqtë e shumtë për të cilët ka folur gjithmonë. Përveç kësaj ata e dinë se dy të rinjtë shqiptarë tashmë janë bërë të famshëm falë një formati televiziv që ata e njohin mirë, dhe kjo është një arsye më shumë që Bjordi dhe Adela të priten me kënaqësi kudo ku ata do të shkojnë.

Ne patëm mundësi t’i fotografonim gjatë momentit të nisjes, dje në drekë, ku paparaci ynë si gjithmonë arrin të fiksojë gjithçka me aparatin fotografik, për t’i sjellë në gazetë për kënaqësinë e lexuesve tanë. Si gjithmonë çifti u përcoll nga mamaja e Bjordit, zonja Antoneta. Mbas kthimit, Bjordi dhe Adela do të mendojnë seriozisht se çfarë do të bëjnë me jetën e tyre në Tiranë, pra me çfarë angazhimesh permanente do të merren meqë dhe mundësitë i kanë të shumta falë famës dhe simpatisë që kanë krijuar në publik


 Komente per shprehjen e Adi Krastes

 

Banorët fillojnë të diskutojnë për shprehjen që Adi Krasta i kishte thënë Adelës. Ata mendojnë se ajo shprehje e ka një kuptim dhe gjithsecili e interpreton ashtu si e kuptoi. Sori thotë se nëse ai do t’ia kishte thënë atij, ai do t’i ishte kundërpërgjigjur se familja e pret, cfarëdo që të ketë bërë. Arjoni e mendon ndryshe. Ai thotë se kjo shprehje të lë të kuptosh se Adela ka bërë dicka të gabuar dhe se familja e saj mund ta ketë gjykuar për këtë. Edhe Adi e mendon afërsisht kështu. Ai shprehet se cfarëdo që të përmbante ai mesazh, tek Adela tani do të lërë shumë mbresa dhe ajo mund të ndryshojë sjelljen ose të fillojë të mendojë gjatë gjithë kohës për të. Adi thotë se fakti që ata kanë mungesë informacioni, shumë fjalë ata mund t’i interpretojnë në mënyra të ndryshme. Juna mendon se ato fjalë ishin thjesht për t’i dhënë asaj zemër për të ecur përpara duke mos patur asnjë qëllim tjetër. Adi thotë se jashtë ka dy vlerësime: i pari i shoqërisë civile të emancipuar që përfaqësohet nga Adi Krasta dhe i dyti mentaliteti i vjetër që përfaqësohet nga familja e Adelës. Duke cituar dhe njëherë fjalët e Adi Krastës, Adi thotë se shoqëria civile e ka pranuar Adelën. Arjoni këmbëngul se me tipin që ka Adela, ajo do të marrë në konsideratë vetëm anën e familjes.

 
Anjeza dhe Moza, vetem ne karaoke

 
Të dyja kanë përjetuar një histori të shpejtë dashurie dhe vetëm kaq. Me futjen në shtëpi, Moza, vajza nga Kosova, ka publikuar lidhjen e saj me Polin, ish-banorin e “Big Brother 1″. Ndërsa për Anjezën ka qenë ndryshe.

Ajo, së bashku me Arjonin, krijuan një “dashuri televizive” që zgjati vetëm 2 javë. Por të dyja këto vajza i shohim në karaoket e Tiranës vetëm, pa të dashurit përkatës. Megjithëse lidhja Arjoni-Anjeza, u deklarua nga ata që ishte vetëm një ndjenjë e bukur që u jetua brenda shtëpisë dhe kaq.

Me daljen e saj nga “Big Brother”-i duket se diçka nuk ka shkuar mes dy të rinjve, në këtë mënyrë ata kanë vendosur t’i japin fund me sa më pak bujë, kësaj historie që jetoi vetëm pak ditë. Për Mozën ka qenë ndryshe.

Për javë të tëra ka qëndruar nën ngacmimet e djemve të shtëpisë dhe asnjërit prej tyre nuk i ka lënë shkak për t’ju afruar më tepër seç duhet. Në një moment të caktuar ajo ka bërë publike dhe lidhjen me Polin, duke u treguar të gjithëve se ishte dikush që e priste jashtë, me të cilin sapo kishte filluar një histori dashurie.

Me daljen nga shtëpia, të dyja vajzat i shohim në shoqërinë e njëra-tjetrës, në karaoke, duke kënduar dhe dëfryer. Ndërsa nga ana tjetër, asnjëri prej djemve të shumëpërfolur nuk duket nën shoqërinë e tyre.

Për çiftin Anjeza-Arjoni, gjithçka është bërë e kuptueshme, që ata të dy nuk janë më bashkë, ndërsa Poli me Mozën…nuk e kanë pritur njëri-tjetrin ashtu siç mendohej. Për Mozën ishte hera e parë që deklaronte në publik një lidhje me një djalë. Pavarësisht këtyre, në këto foto ato duket se po dëfrehen, mungesat nuk bien në sy.