Kompania “Eagle Mobile” ka vendosur të gjallërojë edhe më tej komunikimin në këtë kohë pushimesh. Surpriza e radhës është një telefon që ju bën të flisni falas gjatë gjithë kohës brenda një muaji me çdo numër “Eagle”. Telefoni i markës ‘Samsung’, me të cilin do të flisni falas, gjendet në të gjitha dyqanet “Eagle” dhe mund të blihet me një çmim shumë të arsyeshëm prej 6700 lekësh. Krahas telefonit, abonentët e rinj “Eagle” do të pajisen edhe më një SIM kartë (të tarifës Riniring) që përmban 500 lekë kohë bisede fillestare. Në qoftë se klientët dëshirojnë të mbeten në tarifën Riniring, duhet të rimbushin kartën me vlerë 800 lekë. Oferta është e vlefshme deri më datën 1 shtator 2009.

Bizneset: Vonesat në nxjerrjen e rezultatit zgjedhor godasin ekonominë

Vonesat e mundshme në zyrtarizimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 28 qershorit mund të ndikojnë negativisht te biznesi dhe ekonomia shqiptare. Përfaqësuesit e biznesit në vend janë të mendimit se kriza ekonomike tashmë prezente në vendin tonë, e shoqëruar nga një klimë e paqartë politike, janë një miksim faktorësh që mund të përkeqësojnë klimën jo të favorshme të ekonomisë vendase. Turizmi është sektori i parë që mund të goditet. Në raportin e fundit Banka e Shqipërisë vëren me shqetësim ngadalësimin e aktivitetit ekonomik, në përgjigje të ndikimeve të krizës ekonomike botërore, si tkurrje të ritmeve të kredisë, apo rënie të kërkesës së brendshme.



 Toke per te legalizuarit, bono per pronaret

 
Qeveria shqiptare miratoi dje një projektligj, që nëse kthehet në ligj dhe zbatohet, ia përgjysmon koston financiare për tokën familjeve në proces legalizimi, por në total nuk prodhon një titull pronësie.

Në përgjigje të një premtimi paraelektoral, Kryeministri Berisha propozoi dje që familjet në proces legalizimi të mund të paguajnë 50 për qind të çmimit simbolik të tokës, me anë të bonove të privatizimit, të cilat janë emetuar në vitin 1996 dhe që në tregun e hapur kanë një çmim prej 2-5 për qind të vlerës.

“Bonot e privatizimit, për legalizimin e ndërtimeve pa leje mund të përdoren nga disponuesit, që janë në proces legalizimi.

Bonot e privatizimit të përfituara nga ish të përndjekurit politikë dhe nga subjektet e tjera, gjatë procesit të privatizimit të pronës shtetërore kanë të njëjtin trajtim me bonot e tjera të privatizimit.

Taksat, tatimet dhe detyrimet e tjera financiare, që lidhen me kalimin e së drejtës së pronësisë, bëhen vetëm në lekë”, thotë propozimi i djeshëm.

Që të bëhet efektiv, propozimi duhet të kalojë miratimin parlamentar, i cili nuk mund të bëhet para shtatorit, për shkak se Kuvendi është aktualisht i mbyllur. Për të përfituar nga kjo lehtësi, kërkuesit duhet të aplikojnë brenda tre muajsh nga hyrja në fuqi e ligjit.

“Lidhur me letrat me vlerë, pas një analize shumë serioze të juristëve, ata mendojnë se duhet të ndërhyhet patjetër në ligjin e legalizimeve, pasi ky ligj ka të përcaktuar që pagesa bëhet në lekë”, tha Kryeministri Berisha dje.

Sipas ligjit ekzistues, pronarët e ndërtimeve pa leje mund të blejnë sipërfaqet e tokës, mbi të cilat kanë ndërtuar, përkundrejt çmimit simbolik prej 100 deri në 400 mijë lekëve, ose 8-10 dollarëve për metër katror. Sipas propozimit të ri, gjysma e kësaj shume mund të paguhet me bono. Por, ndërsa blerësit e tokave do të paguajnë çmim simbolik, qeveria ka marrë përsipër të shlyejë pronarët me vlerë tregu, ndërsa një vendim i Gjykatës Kushtetuese ka sanksionuar se të legalizuarit nuk mund të marrin një titull të vlefshëm pronësie për sa kohë qeveria nuk ka kompensuar me vlerë të plotë pronarët.

Qeveria vendosi që kërkuesit që e kanë paguar sakaq tokën ku kanë ndërtuar pa leje, mund të marrin gjysmën e parave të paguara dhe të dorëzojnë në vend të tyre bono privatizimi.

Qeveria aktualisht ka shpërndarë një numër të kufizuar dokumentesh me titull “certifikatë legalizimi”, e cila sipas ekspertëve, nuk ka ndonjë vlerë të madhe ligjore. Në këtë kuptim, vendimi i djeshëm i qeverisë pranon që të legalizuarit të paguajnë tokën me letra pa vlerë dhe në këmbim, qeveria u jep një letër tjetër pa vlerë.

Por para nuk ka

Procesi i legalizimeve ka nisur që gjashtë vite më parë, por deri më sot, asnjë nga pronarët e ndërtimeve pa leje nuk ka marrë një certifikatë pronësie. Zyra e posaçme e qeverisë, e ngarkuar me këtë proces, ALUIZNI, shumë shpesh mbetet pa para dhe nuk është në gjendje t‘i shlyejë pagat e punonjësve të vet. Aplikuesit që kanë kërkuar legalizim, nuk kanë pranuar të paguajnë çmimin simbolik të përcaktuar nga qeveria për ligjin.

Qeveria miraton herë pas here lista të gjata aplikuesish që kërkojnë legalizim, por pasojat ligjore të këtyre vendimeve mbeten të paqarta në planin praktik.

Vetë shifra e shtëpive të ndërtuara pa leje mbetet një mister shumë vite pas fillimit të procesit. ALUIZNI pati deklaruar dikur se ka marrë 220 mijë aplikime për legalizim në të gjithë vendin, por Kryeministri Berisha deklaroi pak kohë më parë në mbledhje qeverie se “aplikimet janë 150 mijë”.

Ndërkohë, zonat informale mbeten në masë të gjerë jashtë urbanistikës bazë, me vetëm pak rrugë të ndërtuara, por pa akses në rrjetin e ujësjellësve dhe kanalizimeve.

Qeveria shqiptare thirri një ekspert të njohur ndërkombëtar për të hetuar problemet e ekstraterritorialitetit dhe për të rekomanduar zgjidhje për këtë problem. Instituti i drejtuar nga ekonomisti peruan Hernando de Soto, dorëzoi një raport dy vjet më parë, të cilin qeveria nuk pranoi ta reklamonte si zgjidhje. Pavarësisht eksperiencës së këtij instituti në shumë vende të botës me probleme të tilla, ai nuk ishte në gjendje të ofronte zgjidhje të logjikshme brenda planeve të qeverisë.

Bonot e privatizimit

Letrat me vlerë për procesin e privatizimit të pronës publike ishin një shpikje e Republikës Çeke, në bazë të së cilës ndërmarrjet shtetërore vlerësoheshin dhe në bazë të kostos së tyre emetohej një kartëmonedhë që shërbente vetëm për të blerë pronë publike. Kartëmonedhat iu shpërndanë “pronarëve” të këtyre ndërmarrjeve, pra të gjithë qytetarëve në moshë madhore. Por, skema u përball menjëherë me faktin se ndërmarrjet shtetërore, në Shqipëri dhe në vende të tjera, u shitën përmes praktikave ligjore shumë të dyshimta dhe ndërsa biznesmenët e lidhur me qeverinë blenë ndërmarrjet, qytetarëve u mbeti në dorë letra me vlerë. Në mungesë të pronave publike, bonot e privatizimit u bënë shpejt letra pa vlerë. Sot, mbi 30 miliardë lekë bono privatizimi janë në duart e qytetarëve, por vlera e tyre ligjore dhe praktike, që nga viti 2002, ka qenë zero.


Borxhet e panjohura, miliarda ndaj pensionisteve

Borxhi i brendshëm real i Shqipërisë mund të jetë dy herë më i madh nga ai aktual, në rast se edhe detyrimet ndaj pensionistëve klasifikohen si të tilla, bëjnë të ditur disa ekspertë. Stoku i borxhit të brendshëm u rrit në 400 miliardë lekë, (4.1 miliardë dollarë), ndërkohë që borxhi i jashtëm ishte 2.2 miliardë dollarë. Por borxhi që shoqëria i ka dhe vijon të akumulojë kundrejt të punësuarve me sigurime shoqërore apo pensionistëve, nuk klasifikohet gjëkundi. Shumë vende të zhvilluara, në fakt detyrimet e sigurimeve shoqërore i klasifikon si borxh publik. “Askush nuk ka marrë mundimin të vlerësojë se sa janë detyrimet totale të shoqërisë në sistemin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, por natyrisht shifra mund të shkojë në disa miliardë dollarë”, thotë një ekspert.

Shqipëria ka 530 mijë pensionistë aktualë, ndërsa sistemi i sigurimeve shoqërore financohet në masën 40 për qind nga buxheti i shtetit. Shumë vende perëndimore vlerësojnë sasinë e borxhit të përgjithshëm kundrejt pensionistëve, duke marrë parasysh pensionet mujore dhe jetëgjatësinë mesatare të përfituesve, por kjo gjë në Shqipëri nuk bëhet. Me nivelin aktual të pensioneve, çdo pensionisti shoqëria shqiptare mund t‘i detyrohet 5-7 mijë dollarë. Në total, bëhen miliarda.

Problemi nuk është thjesht statistikor. Sipas ekspertëve, në të ardhmen, duke mos njohur dhe pranuar realitetin mbi borxhin publik, qeveria mund të përballet me pamundësinë e shlyerjes së borxhit dhe në këtë rast janë pensionistët ata që do të vuajnë pasojat. Kur shtetet falimentojnë, borxhet e jashtme riskedulohen dhe kreditorët falin një pjesë të interesave, por në përgjithësi, borxhet duhet të shlyhen patjetër. Ndryshe ndodh me borxhin e brendshëm. Qeveria e ka mundësinë të mos i shlyejë detyrimet ndaj qytetarëve të vet. Në Shqipëri diçka e tillë ndodhi në vitin 1994. Në pamundësi për të shlyer detyrimet që kishte ndaj pensionistëve, (edhe në kohën e komunizmit, këto detyrime nuk klasifikoheshin si borxh), qeveria thjeshtë ua mohoi qytetarëve të vet borxhet.

Niveli i borxhit publik është bërë shpesh objekt debati politik në Shqipëri. Në vitin 2006, qeveria deklaronte se do ta ulte borxhin publik, ndërkohë që opozita thoshte se një masë e tillë është e palogjikshme dhe e pakuptimtë. Por këtë vit, ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi se borxhi i shtetit shqiptar është i vogël dhe se ka ende hapësirë për të shtuar borxhet. Në këtë rast, opozita reagoi duke paralajmëruar se qeveria po e zhyste vendin në borxhe. Gjatë dy viteve të fundit, borxhi publik i Shqipërisë është rritur në mënyrë dramatike. Borxhi i brendshëm u rrit me 8.4 për qind, ndërsa borxhi i jashtëm u rrit me 25 për qind, si pasojë e kredive të marra për rrugën e Kukësit. Këtë vit, pritet që borxhi të rritet me ritëm akoma dhe më të madh. Vitin e kaluar, borxhi publik ishte rreth 50 për qind e prodhimit të brendshëm bruto, (pa borxhet ndaj pensionistëve), ndërsa këtë vit, pritet që të rritet deri në 56 për qind të PBB-së. Në pamje të parë, ky është një nivel borxhi i moderuar. Në vendet e Bashkimit Evropian, këshillohet që borxhi publik të mos e kapërcejë kufirin prej 60 për qind të PBB-së, pas së cilës, qeveritë kalojnë në rrezik falimenti financiar. Vlerësohet se borxhi publik në 40 për qind të PBB-së është në nivelin e artë, që garanton stabilitet dhe garanci për vlerën e kursimeve të qytetarëve. Por, në vendet e BE-së, te borxhi publik futen edhe borxhet e sigurimeve shoqërore. Në rast se borxhit shqiptar i shtohen këto detyrime, atëherë borxhi real del më i lartë se sa kufiri i rrezikut.

Qeveria shqiptare e ka zgjidhur pjesërisht rrezikun e kolapsit të sistemit të sigurimeve shoqërore gjatë dekadës së fundit, duke përdorur një mekanizëm të vetëm, rritjen e moshës për përfitimin e pensionit. Mosha e daljes në pension njëzet vjet më parë ishte 50 vjeç për gratë dhe 55 vjeç për burrat. Që nga viti 2002, mosha e pensionit u rrit disa herë deri në nivelin aktual, 60 vjet për gratë dhe 65 vjeç për burrat. Në fakt, sipas ekspertëve, rritja e moshës së pensionit gjatë këtyre viteve ishte thjesht një masë që shtyu në kohë problemin, por nuk e zgjidhi atë. Deficiti i sigurimeve shoqërore aktualisht vijon të rritet, ndërsa mosha e pensionit nuk mund të shkojë më tutje. Ekspertët vlerësojnë se klasifikimi i detyrimeve ndaj pensionistëve si borxh publik, së paku do të ndalojë zhytjen e vendit në borxhe që nuk mund t‘i përballojë.